Get the Flash Player to see this rotator.

Mbështetje për Teknologjinë e Informacionit - Vizitë studimore në Zvicër

Njëri nga komponentët kryesorë të AlbVET është mbështetja për reformën e sistemeve formale në dy drejtime profesionale, që projekti e bën në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës.  Drejtimi i parë që mbështetet është dega e Instalimit të Sistemeve Hidraulike, që po zbatohet nën përqasjen e “Të nxënit bazuar në projekte”, i cili është i shtirë në 10 shkolla të vendit. Dega e dytë për mbështetje u sugjeruar nga vetë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, dhe ajo është Teknologjia e Informacionit, për të cilën, AlbVET ka rënë parimisht dakord.

Por, kjo iniciativë kërkon edhe një farë përgatitje të terrenit për planifikimin e mbështetjes apo për përcaktimin e qëllimit të bashkëpunimit dhe ndihmës së ofruar nga projekti. Prandaj AlbVET organizoi një vizitë studimore në Zvicër, me pjesëmarrës nga Ministria e Arsimit dhe e shkencës, nga Agjencia Kombëtare e AFP-së dhe nga zyra e projektit.

Pjesëmarrësit patën rastin të njihen me metodën zvicerane të trajnimit në Teknologjinë e Informacionit në Zvicër, me natyrën e përqasjeve ndaj të nxënit, me përqasjen modulare për hartimin e kurrikulës, që nga ana e saj integron nivele të ndryshme të formimit, përfshirë edhe atë post-sekondar, etj.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë që të vizitonin disa ofrues të AFP-së për nivele të ndryshme, sekondar, post-sekondar, të nxënit gjatë gjithë jetës, etj. Gjatë vizitës, pritësit zviceranë bënë prezantime të ndryshme përsa i përket rolit dhe funksionimit të organizmave përkatës në botën e punës.

Gjithashtu u prezantuan disa nga elementet kryesore të sistemit zviceran në fushën e TIK, duke përfshirë edhe strukturat horizontale dhe vertikale, kurset fillestare, nivelin sekondar, post sekondar, apo edhe të nxënit gjatë gjithë jetës për profile të ndryshme të këtij drejtimi.

Kjo vizitë i dha mundësi grupit të përfaqësuesve të Arsimit Profesional nga Shqipëria që të njihnin disa tregues dhe sfida që paraqet zbatimi i TIK, si edhe rëndësinë që ka koha që duhet në dispozicion për ta përgatitur me kujdes zbatimin e tij.

“ Zbatimi i TIK në Zvicër mendoj se së pari është pjesë e kulturës zvicerane dhe si në çdo fushë tjetër, edhe këtu ata operojnë me ndërgjegje, me shumë sesa me rregullore, - thotë Alqi Mustafaj nga Agjencia Kombëtare  e AFP-së, që ishte edhe njëri nga pjesëmarrësit në këtë vizitë.- Mua më bëri përshtypje theksi i madh që i vihej në Zvicër përgatitjes praktike të nxënësit në raport me përvetësimin e tij akademik. Pra e kundërta e asaj që ndodh në Shqipëri. Për më tepër, atje është tregu i punës që e garanton ecurinë dhe cilësinë e secilit profil, kurse në Shqipëri, ekuilibri treg pune – treg arsimor është disi i lëkundur”.

Sidoqoftë, projekti AlbVET, në mbështetjen e tij për TIK synon të ofrojë përcaktim profilesh, hartim kurrikulash, trajnim mësuesish dhe instruktorësh, zhvillimin e burimeve mësimore dhe mbështetje në bazë materiale.

Trajnimet e para synohen të fillojnë në Shtator 2010.